Rita Augestad Knudsen, bashkëshortja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është promovuar në pozitën e profesoreshës kërkimore në Institutin Norvegjez për Çështje Ndërkombëtare, NUPI.
Sipas njoftimit të institutit, Knudsen ka qenë e angazhuar në NUPI për rreth një dekadë dhe më 24 shtator 2026 është avancuar në pozitën e Research Professor.
Ajo merret me hulumtime në fushën e sigurisë ndërkombëtare, kundërterrorizmit, rrezikut, çështjeve kibernetike dhe marrëdhënies ndërmjet politikës dhe së drejtës ndërkombëtare.
Në punën e saj kërkimore, Knudsen është fokusuar veçanërisht në tri fusha: lirinë në politikën dhe të drejtën ndërkombëtare, luftën kundër terrorizmit dhe mënyrën se si konceptohet e vlerësohet rreziku.
Sipas NUPI-t, ajo kishte nisur punën në institut në vitin 2016 si hulumtuese e lartë në grupin për Siguri dhe Mbrojtje.
Knudsen ka deklaruar se përmes hulumtimeve të saj synon të kuptojë më mirë konceptet dhe praktikat që lidhen me sigurinë ndërkombëtare, politikën dhe të drejtën, si dhe ndikimin e tyre në politikëbërje dhe teori.
Ajo ka bërë të ditur se në të ardhmen do të vazhdojë të punojë sidomos në temat që lidhen me teknologjinë, sigurinë, lirinë dhe rrezikun, si dhe në mbështetjen e studiuesve të rinj.
Aplikimi i saj për avancim është vlerësuar nga një komision ekspertësh ndërkombëtarë, i cili ka konstatuar në mënyrë unanime se Knudsen i plotëson kriteret për pozitën e profesoreshës kërkimore.
Edhe drejtoresha e NUPI-t, Kari M. Osland, ka vlerësuar lart kontributin e saj, duke theksuar se puna e Knudsen në fushën e lirisë, kundërterrorizmit dhe rrezikut ka vendosur standard të lartë në institut.
NUPI ka bërë të ditur gjithashtu se Knudsen ka drejtuar për rreth dhjetë vjet Konsorciumin për Hulumtime mbi Terrorizmin dhe Krimin Ndërkombëtar, ndërsa puna e saj përfshin edhe temat e radikalizimit, sigurisë kibernetike, sanksioneve ndërkombëtare, vetëvendosjes dhe ndërtimit të shtetit.



