Friday, 9 October 2026
Kosovë

Përshkallëzohen tensionet para Kuvendit, policia përdor gaz lotsjellës ndaj protestuesve

Tensionet para Kuvendit të Kosovës janë përshkallëzuar gjatë mbrëmjes së sotme, pas zhvillimeve rreth ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Gjatë ditës, protestuesit kanë përdorur mjete piroteknike pranë objektit të Kuvendit, ndërsa një nga dritaret e ndërtesës është thyer nga fishekzjarrët. Policia u ka bërë thirrje protestuesve që të ruajnë qetësinë dhe të mos hedhin mjete në drejtim të institucioneve shtetërore.

Situata është tensionuar më tej në mbrëmje, kur protestuesit kanë bllokuar hyrjet e Kuvendit dhe kanë vazhduar të përdorin mjete piroteknike. Policia e Kosovës është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës për t’i zmbrapsur nga zona pranë objektit.

Forca të shtuara policore janë pozicionuar përreth Kuvendit, ndërsa protestuesit kanë vazhduar të qëndrojnë në afërsi të ndërtesës.

Gjatë protestës, një person është shoqëruar në stacion policor nën dyshimin se kishte poseduar dhe hedhur mjete piroteknike në drejtim të objekteve shtetërore. Policia ka deklaruar se njeh të drejtën e qytetarëve për protestë, por ka kërkuar që ajo të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe pa dëmtim të pronës publike.

Protestuesit kanë kërkuar që deputetët të mos largohen nga Kuvendi pa u votuar ndryshimet në Ligjin për Specialen.

Ndërkohë, Kuvendi gjatë ditës votoi në parim ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Situata rreth Kuvendit mbetet e tensionuar, ndërsa policia vazhdon të jetë e pranishme me forca të shtuara.