Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dalë me një propozim të ri për Partinë Demokratike të Kosovës, në përpjekje për të arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.
Kurti ka përmendur dy emra që Lëvizja Vetëvendosje i konsideron ende aktualë për postin e presidentit: Glauk Konjufca dhe Feride Rushiti.
Ai ka thënë se, nëse PDK-ja zotohet publikisht për pjesëmarrje në votimin për njërin prej këtyre kandidatëve, atëherë shumica është e gatshme që paraprakisht të votojë në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Kurti ka kujtuar edhe emrin e Bekim Sejdiut, duke thënë se beson se ai mund të rikthehej në proces në rast të një përgjigjeje pozitive nga PDK-ja.
Sipas kryeministrit, nëse PDK-ja vlerëson se votimi i sotëm në lexim të dytë i projektligjit për Specialen nuk bie ndesh me kërkesën për respektimin e afatit procedural prej 72 orësh, atëherë ligji mund të votohet edhe para zgjedhjes së presidentit.
Propozimi i ri vjen në ditën kur partitë po zhvillojnë negociata intensive për zgjedhjen e presidentit dhe për shmangien e një krize të re institucionale.



