Këngëtarja Vesa Smolica ka folur publikisht për njohjen e saj të hershme me familjen Hila, në një kohë kur emri i kompozitorit Adrian Hila po përmendet gjerësisht në media dhe rrjete sociale.
Në një intervistë për “Kosova Today”, Smolica ka treguar se familjen Hila e njeh që nga mosha 12-vjeçare, periudhë kur ajo merrte pjesë në spektaklin “Gjeniu i Vogël”.
Sipas saj, gjatë asaj kohe udhëtonte rregullisht nga Gjakova në Tiranë për shkak të angazhimit në program, fillimisht së bashku me prindërit.
Vesa ka treguar se, për shkak të vështirësisë së udhëtimeve të shpeshta, familja e saj kishte komunikuar me organizatorët dhe me bashkëshorten e Adrian Hilës, Klaudian, ndërsa më pas asaj i ishte mundësuar të qëndronte për disa muaj në shtëpinë e familjes Hila.
Ajo ka theksuar se reagimi i saj i mëparshëm nuk kishte për qëllim të komentonte skandalin apo të përfitonte vëmendje nga situata, por të shprehte mirënjohje për një familje që, sipas saj, e kishte ndihmuar në një periudhë të rëndësishme të jetës.
Smolica ka deklaruar se nuk ka qenë dëshmitare e ndonjë sjelljeje të pazakontë gjatë kohës që kishte qëndruar me familjen Hila, duke thënë se “me sytë e saj nuk kishte parë asgjë”.
Ajo ka sqaruar gjithashtu se komunikimi me Adrian Hilën kishte qenë kryesisht profesional, ndërsa me bashkëshorten e tij kishte pasur më shumë kontakt gjatë periudhës së qëndrimit në familjen e tyre.



