Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka refuzuar edhe propozimin e dytë të kryeministrit Albin Kurti për lidhjen e votimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara me zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Radio Evropa e Lirë raporton se PDK-ja e ka refuzuar ofertën e Kurtit për presidentin dhe Specialen.
Në një konferencë për media, Hamza ka deklaruar se çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk i përket vetëm PDK-së dhe se, sipas tij, ajo nuk duhet të përdoret si pjesë e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit
Hamza ka thënë se tema prek historinë, të tashmen dhe të ardhmen e vendit dhe ka kundërshtuar që ajo të lidhet me marrëveshje të minutave të fundit.
Ai ka akuzuar Kurtin se po tenton ta përdorë këtë çështje për të arritur një qëllim politik, duke e lidhur votimin për Specialen me sigurimin e votave për presidentin.
Kreu i PDK-së ka theksuar gjithashtu se marrëveshja për Bekim Sejdiun nuk ishte marrëveshje me PDK-në dhe se partia e tij nuk ishte pjesë e asaj marrëveshjeje.
Sipas Hamzës, PDK-ja mbetet e gatshme të diskutojë çështjet institucionale, por jo në formën e një shkëmbimi votash mes Ligjit për Specialen dhe presidentit.
Zhvillimet vijnë në ditën e fundit të afatit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, ndërsa partitë ende nuk kanë arritur një marrëveshje për kandidatin dhe formulën e votimit.



