Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbështetje më të qartë për avancimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian.
Pas takimit të zhvilluar në Prishtinë, Kurti tha se Kosova pret që Komisioni Evropian të flasë hapur për nevojën që vendit t’i jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, Kosova i ka plotësuar kushtet për të avancuar në këtë proces dhe pret që Këshilli Evropian të kërkojë opinionin formal të Komisionit për aplikimin e Kosovës.
Nga ana tjetër, von der Leyen theksoi rëndësinë e institucioneve funksionale dhe të reformave, duke deklaruar se aspirata evropiane e Kosovës duhet të shndërrohet në hapa konkretë drejt anëtarësimit.



