Në prag të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po përballet me tensione të theksuara të brendshme. Burime të afërta me zhvillimet në parti i kanë bërë të ditur Gazetës Minuti se në strukturat qendrore të LDK-së kanë shpërthyer debate dhe përplasje të ashpra lidhur me renditjen e kandidatëve në listën zgjedhore.
Pakënaqësitë janë intensifikuar ndjeshëm, pasi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, po akuzohet nga zëra brenda partisë se po favorizon figura që, sipas tyre, “i kanë mbajtur zhagun” dhe kanë qenë më afër tij politikisht në periudhën e fundit. Kjo ka krijuar një ndjenjë padrejtësie mes anëtarëve.
Në anën tjetër, figura me peshë dhe me përvojë të gjatë brenda LDK-së, si Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Rrezarta Krasniqi dhe Janina Ymeri, sipas të njëjtave burime, nuk janë të kënaqura me pozicionimin që pritet t’u bëhet në listë. Thuhet se po tentohet t’i vendosin larg 10-shes së parë, gjë që ka nxitur reagime të forta.
Kjo situatë ka shkaktuar tensione të mëdha në parti, duke kulmuar me debate të ashpra në takime të brendshme, ku disa figura kanë shprehur hapur pakënaqësinë ndaj mënyrës së menaxhimit të procesit nga kreu i partisë. Mbetet për t’u parë nëse këto zhvillime do të ndikojnë në unitetin e LDK-së dhe në mobilizimin e saj për zgjedhjet e ardhshme, apo nëse do të thellojnë ndarjet brenda saj.














Leave a Reply