Familjarët e Mimoza Ahmetit kërkojnë masa nga produksioni i Ferma VIP pas shqetësimeve për trajtimin e saj

Familjarët e poetes së njohur, Mimoza Ahmeti, kanë shprehur publikisht shqetësimin e tyre në rrjetet sociale lidhur me mënyrën se si, sipas tyre, ajo po trajtohet brenda formatit televiziv Ferma VIP.

Ata theksojnë se ndaj saj po përdoren fjalë dhe sjellje që cenojnë dinjitetin e një gruaje dhe nëne, duke e konsideruar këtë të papranueshme.

Në reagimin e tyre, familjarët vënë në dukje se gjuha fyese e drejtuar Mimozës nga disa prej konkurrentëve është banalizuar dhe tashmë po qarkullon gjerësisht edhe në rrjetet sociale, duke e bërë situatën edhe më shqetësuese.

Ata shprehen të zhgënjyer që produksioni i emisionit, për të disatën herë, po i anashkalon këto sjellje dhe këtë gjuhë të papërshtatshme, pa ndërmarrë masa konkrete.

Familjarët theksojnë se një format televiziv humbet vlerën e tij kur lejon dëmtimin e imazhit dhe dinjitetit të një personi në këtë mënyrë. Gjithashtu, ata kanë vënë re me shqetësim se gjatë Prime-it, Mozës shpesh i mohohet mundësia për të shprehur dhe përfunduar mendimin e saj, sa herë kërkon fjalën.

Për këtë arsye, familjarët kërkojnë trajtim të drejtë dhe respekt të barabartë për Mozën, si dhe ndalimin e menjëhershëm të gjuhës fyese. Ata bëjnë thirrje për marrjen e masave konkrete nga produksioni, me qëllim ruajtjen e dinjitetit të saj dhe integritetit të programit Ferma VIP.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *