Fabjola Elezaj ka reaguar për herë të parë vetëm pak minuta pasi përfundoi rrugëtimin e saj në reality show-n “Ferma VIP”.
Eliminimi i saj erdhi pas një televotimi të hapur nga produksioni, ku publiku u pyet nëse ajo duhej ta vazhdonte apo jo qëndrimin në fermë.
Ky vendim u mor pas një incidenti të rëndë, ku banorja përdori fjalor të papërshtatshëm ndaj moderatores së spektaklit, Arbana Osmani.
Pas daljes nga shtëpia, Fabjola publikoi një video të shkurtër ku u shfaq e reflektuar dhe pranoi se reagimi i saj kishte qenë i gabuar, duke e konsideruar të drejtë vendimin e publikut.
“Eksperienca në Fermë ishte shumë e bukur në fillim, por fundi nuk shkoi ashtu siç doja unë. Ishte një fund që e meritova pas gabimit që bëra. Ju falënderoj që e kuptuat situatën dhe e gjykuat drejt,” – u shpreh ajo, duke lënë të kuptohet edhe një kërkim faljeje ndaj publikut për sjelljen e saj.














