
Kriza në Gjirin Persik ka hyrë në një fazë të re pas vendimit të Iranit për të mbyllur sërish ngushticën strategjike të Hormuzit. Sipas mediave shtetërore iraniane, ky hap vjen si përgjigje ndaj bllokadës së vazhdueshme të porteve iraniane nga marina amerikane, të cilën Teherani e cilëson si “pirateri”.
“SHBA vazhdon aktet e saj të piraterisë nën pretekstin e një bllokimi të supozuar. Për këtë arsye, kontrolli i ngushticës së Hormuzit është kthyer në gjendjen e tij të mëparshme dhe kjo rrugë ujore strategjike tani është nën kontroll të rreptë nga forcat e armatosura. Derisa Shtetet e Bashkuara të rivendosin plotësisht lundrimin e lirë për anijet që udhëtojnë nga Irani dhe anasjelltas, ngushtica e Hormuzit do të mbetet e kontrolluar fort“, tha Garda Revolucionare në një deklaratë.
Kujtojmë se presidenti amerikan, Donald Trump, kishte deklaruar se bllokimi amerikan i anijeve që udhëtonin drejt porteve iraniane do të mbetet derisa “negociatat tona me Iranin të përfundojnë 100%”.
Një negociatë, e cila, siç tha ai, nuk është e sigurt se do të çojë në një zgjatje të armëpushimit. “Unë mund të mos e zgjas armëpushimin, por bllokimi i porteve iraniane do të mbetet”, u tha Trump gazetarëve në bordin e avionit presidencial.
Ndërkohë, delegacionet amerikane dhe iraniane pritet të mbërrijnë në Pakistan këtë fundjavë.

